Hetimet për vrasjen e Ivanoviç, makina e atentatorëve përdorej prej 9 vitesh në Serbi

Vetura e përdorur për vrasjen e Oliver Ivanoviçit ishte blerë në vitin 2017 dhe që prej vitit 2009 ka qenë në Serbi. Këto janë informacionet më të fundit mbi rezultatin e hetimeve të Kosovës rreth veturës së djegur në veri të Kosovës, pas ekzekutimit të politikanit të njohur serb, dhe u bënë publike nga ministri i Brendshëm kosovar, Flamur Sefaj, përmes një postimi në Facebook.

Sefaj sqaron se policia ka mundur të identifikojë numrin e shasisë së automjetit të djegur dhe e ka lokalizuar origjinën fillestare të saj falë bashkëpunimit me një shtet të BE-së. Në këtë mënyrë u zbulua se makina, që nga viti 2009 ka qenë në një adresë të caktuar në Serbi e është arritur të gjendet po kështu se kujt iu shit ajo vitin e kaluar.

Të dhënat i janë dërguar prokurorit të çështjes, i cili është në proces të dërgimit të kërkesës së tij përmes kanaleve zyrtare, për ndihmë juridike ndërkombëtare tek autoritetet serbe.

Ekzekutimi me 6 plumba i kreut të Nismës Qytetare serbe, “Liri, demokraci, drejtësi” përpara zyrës së tij nuk shkaktoi trazirat të cilave i druheshin ndërkombëtarët, por pasojat e tij ndihen të forta në nivel politik.

Dialogu Kosovë-Serbi duhet të riniste pikërisht ditën e martë, kur ngjarja e nxiti Serbinë të ndërpriste bisedimet, që siç thuhet tani do të kenë një tjetër format, e i tensionoi edhe më shumë marrëdhëniet mes dy vendeve.

Edhe pse një ditë më parë telefonata mes Hashim Thaçit dhe Aleksandar Vuçiçit u pa si sinjal i dëshirës për të qetësuar gjakrat, ministri i Brendshëm serb, Nebojsha Stefanoviç akuzoi Prishtinën më vonë se po refuzon të bashkëpunojë me autoritetet serbe në hetime, pasi nuk do që vrasësit të zbulohen.

Në analizën e tij për “The Obrserver” lidhur me episodin e bujshëm, eksperti amerikan i sigurisë John Shindler shprehte drojën se ekzekutuesi i Ivanoviçit mund të mos zbulohet kurrë, duke theksuar se vrasja është bërë sipas një modeli klasik që po përdoret në Europë dhe ka zbehur çdo lëvizje përpara në çështjen e Kosovës.

loading...

Lini një Përgjigje