Ivanoviç e parandiente rrezikun: Serbët në Veri po frikësohen nga serbët

Politikani i vrarë serb, Oliver Ivanoviç, i cili ishte udhëheqës i Nismës qytetare “Serbia, demokracia, drejtësia”, kishte akuzuar ashpër Beogradin për mbështetjen e “Listës Serbe” në zgjedhjet e 22 tetorit të vitit të kaluar në Kosovë.

Ai madje ishte shprehur se, kishte ardhur koha që në pjesën veriore të Mitrovicës serbët të frikësoheshin nga serbët, e jo më nga shqiptarët.

“Ne kemi një situatë të tillë, që njerëzit serbë po përpiqen të ngrenë zëra frike dhe ne po punojmë që ta parandalojmë këtë. Ky nuk është një proces normal zgjedhor”, ishte shprehur Ivanoviç për të përditshmen serbe “Danas”.

“Është për të ardhur keq që ne kemi një raport të tillë nga institucionet serbe, të cilat në mënyrë antikushtetuese mbështesin vetëm një parti. Kjo është absolutisht e paligjshme dhe çnjerëzore, e prodhon pasoja ekstreme”, kishte thënë më tej ai.

Ish-kandidati për kryetar të Mitrovicës së Veriut besonte atëherë se KFOR-i dhe EULEX-i do të duhej të parandalonin ndonjë incident të mundshëm, që do të bëhej në përkrahje të “Listës Serbe”.

“Publiku po krijon një perceptim të pabazuar për ‘Listën Serbe’, e cila fokusohet vetëm te presioni dhe dinakëria”, shtonte Ivanoviç. “Kjo është diçka që më herët nuk e kemi parë. Serbët po frikësohen më shumë nga serbët, sesa nga shqiptarët në vitin 1999, 2004 dhe 2008”, deklaronte Oliver Ivanoviç.

loading...

Lini një Përgjigje