Lirohet nga detyra Haki Çako. Kush do e zvendësoj??

Lirohet nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Haki Çako. Vendimi është firmosur nga Kryeministri Edi Rama pas propozimit të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Në vendin e Çakos në postin e drejtorit është komanduar Rebani Jaupi.

Dy kandidatët për vendin e Çakos janë Ardi Veliu dhe Eduart Merkaj, ndërsa deri në zgjedhjen e pasuesit në detyrë i komanduar do të jetë Rebani Jaupi, që deri tani ka mbajtur postin e zv/ drejtorit të Policisë së Shtetit.

Lajmi është bërë i ditur në një njoftim të publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Brendshme ku thuhet se “Ministri Xhafaj, vlerëson kontributin, angazhimin dhe përkushtimin e zotit Çako në drejtimin e Policisë së Shtetit, gjatë viteve të fundit. Ai ka një karrierë të gjatë në Polici dhe ka drejtuar me profesionalizëm struktura të niveleve të ndryshme”.

Ministri Xhafaj mësohet se pati një takim gjatë të cilit e falenderoi Çakon për punën dhe bashkëpunimin e deritanishëm, në përmbushjen e misionit të Policisë së Shtetit.

“Megjithatë, realizimi i objektivave të këtij mandati qeverisës, në fushën e rendit dhe sigurisë publike, sfidat që e presin Policinë e Shtetit, kërkojnë një ritëm më të shpejtë dhe dinamikë të madhe pune. Për këtë arsye është i domosdoshëm një lidership i ri, me energjitë të reja për të motivuar dhe çuar përpara punën e Policisë së Shtetit. Puna e kësaj të fundit, domosdoshmërisht duhet të jetë e orientuar drejt rezultateve konkrete, me qëllim që t’u përgjigjet, kësisoj, më mirë kërkesave të kësaj faze të re dhe pritshmërive të larta të publikut dhe partnerëve ndërkombëtarë ndaj Policisë së Shtetit”, thuhet më tej në deklaratën e Ministrisë së Brendshme.

Haki Çako u emërua në detyrën e Drejtorit të Policisë së Shtetit më 16 Prill të 2015-s.

Ndersa Rebani Jaupi më herët ka mbajtur postin e Shefit të Sektorit për Krimin Ekonomik e Financiar, në Drejtorinë për Krimin Ekonomik e Financiar në Drejtorinë e Policisë së Shtetit.

Ish-drejtori i Policisë së Shtetit Haki Çako, e ka vlerësuar Jaupin, si një ndër ekspertët më të mirë të policisë në fushën e krimeve ekonomike e financiare.

loading...

Lini një Përgjigje