SPORT

Siguri ekstreme në Beograd, dy tribuna mbushen me policë

Që ngjarjet e 14 Tetorit 2014 të mos përsëriten, në Beograd e kanë marrë seriozisht çështjen e sigurisë. Klubi i Partizanit ka marrë masat më ekstreme në histori, për organizimin e ndeshjeve, duke nisur nga biletat e personalizuara, kamerat e sigurisë, reduktimi i kapacitetit të stadiumit dhe pozicionimi i forcave të rendit në dy tribuna.

Pjesa veriore e impiantit është mbyllur, si dhe një pjesë e tribunës në lindje, ku do të qëndrojnë vetëm për policët, duke bërë që të pranishëm të jenë vetëm 20 mijë tifozë. Ajo është pikërisht pjesa kur lojtarët e përfaqësueses shqiptare u sulmuan nga tifozët, ndërsa po largoheshin nga fusha pas dhunës së ushtruar nga huliganët.

Pak orë përpara startit të ndeshjes, tuneli është i qetë dhe në Beograd synojnë që të mbetet i tillë edhe gjatë përballjes. Për SuperSport këtë e konfirmoi zëdhënësja për shtyp e klubit të Partizanit, Biljana Obradović.

“Jemi në zonën jug-lindore të stadiumit. Tuneli nga ku dalin lojtarët, do të zgjatet thuajse deri te fusha për të parandaluar hedhjen e sendeve të forta drejt sportistëve. Tribuna veriore dhe një pjesë e tribunës lindore do të mbyllen për tifozët, biletat do të jepen vetëm për pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme, për të garantuar që siguria do të jetë në nivelin maksimal”, tha Obradović

Ashtu siç është paralajmëruar prej disa ditësh nga klubi serb, masat e sigurisë do të jenë mjaft të forta. Hyrja e tifozëve do të bëhet rreth tre orë përpara ndeshjes, biletat do të jenë me emër, ndërsa në stadium do të lejohen vetëm sendet personale.

“Të gjitha biletat do të jenë me emër dhe mbiemër. Kushdo që do të vijë në stadium, duhet të tregojë dokumentin e identifikimit për të hyrë. Të gjithë spektatorët në tribunën qendrore, nga Lindja dhe Perëndimi, do të kenë byzykylë të veçantë, për të lehtësuar kalimin e tyre deri në vendet përkatëse. Spektatorëve do t’u lejohen vetëm telefona, çelësa dhe sende personale. Stadiumi do të mbulohet me 98 kamera sigurie, të cilat mund ta zmadhojnë imazhin deri në 36 herë, për të evidentuar personat që mund të shfaqin pankarta të papërshtatshme, apo që mund të hedhin sende të forta në fushë. Ai individ do të sanksionohet menjëherë”, tha zëdhenësja e shtypit të klubit serb

Te Partizani i Beogradit kërkojnë që organizimi i ndeshjes me Skënderbeun të jetë i përkryer, ashtu siç ndodhi në Elbasan, por edhe për të evituar penalizime financiare që kanë rënduar arkat e klubit.

“Së pari dua të falënderoj të gjithë Shqipërinë për mikëpritjen e shkëlqyer që kemi patur në Tiranë dhe më pas në Elbasan. Masat e sigurisë për ndeshjen do të përforcohen, mbi të gjitha prej faktit që UEFA e ka dënuar njëherë Partizanin, ashtu siç dënoi edhe Skënderbeun. Jemi në dijeni të gjobës prej 60 mijë eurove dhe një ndeshje pa tifozë për Skënderbeun, ndërsa deri më tani Partizani është gjobitur në vlerën 400 mijë euro dhe nuk duam që këto situata të përsëriten. Presim një sjellje sportive dhe korrekte, ashtu si e ka thënë edhe trajneri Djukiç, pasi në të kundërt rrezikojmë të dënohemi nga UEFA”, tha.

Artikuj te Ngjashem

loading...