Ushtarakët, procedura e re për të marrë pensionin

Të gjithë ushtarakët që ende nuk kanë plotësuar kushtet për të marrë pensionin, duhet të ndjekin një procedurë të re. Instituti i Sigurimeve Shoqërore bën me dije se janë hequr të gjitha certifikatat që duheshin për pensionin suplementar të ushtarakut dhe pensionin e paakohshëm.

Po kështu vërtetimi për vitet e humbura të punës, tashmë gjenden nga ana e ISSH-së. Gjithashtu ISSH bën me dije procedurën e plotë kush përfiton pension si ushtarak dhe dokumentat që duhen.

Pensionin e ushtaraku e përfiton:
Ushtarakët e Forcave të Armatosura në RSH. Punonjësit e Policisë së Shtetit. Punonjësit e Gardës së RSH. Punonjësit e Shërbimit Informativ të Shtetit. Punonjësit e Policisë së Burgjeve. Punonjësit e Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit. Punonjësit e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm. Punonjësit e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes.

Llojet e pensioneve
a)Pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi. Kushtet për përfitim: – Për burra: mosha 47 vjeç dhe jo më pak se 15 vite shërbimi. – Për gra: mosha 42 vjeç dhe jo më pak se 12 vite shërbimi.

b) Pension suplementar i pleqërisë. Kushtet për përfitim: – Personat e përmendur, që përfitojnë pension pleqërie sipas Ligjit nr. 4171, datë 13.09.1966 “Për sigurimet shoqërore në RPSH” dhe Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në RSH”, i ndryshuar.

c) Pension suplementar i invaliditetit. Kushtet për përfitim: – Personat e përmendur, kur janë deklaruar invalidë dhe përfitojnë pension invaliditeti të plotë apo të pjesshëm, sipas Ligjit nr. 4171, datë 13.09.1966 “Për sigurimet shoqërore të RPSH” dhe Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në RSH”, i ndryshuar.

d) Pensioni suplementar familjar. Kushtet për përfitim: – Kur personat e familjes në ngarkim të personave të përmendur, përfitojnë pension familjar, sipas Ligjit nr. 4171, datë 13.09.1966 “Për sigurimet shoqërore në RPSH” dhe Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në RSH”, i ndryshuar.

e) Pensioni suplementar familjar, për personat që humbasin jetën në detyrë apo për shkak të saj. Kushtet për përfitim: – Personat e përmendur, që humbasin jetën në detyrë apo për shkak të saj.

Dokumentet
a) Për përfitimin e pagesës kalimtare, bashkëlidhur kërkesës duhet të keni: – Fotokopje të kartës identitetit. – Vërtetim të pagës referuese (plotësuar nga punëdhënësi). – Vërtetim të viteve të shërbimit (plotësuar nga punëdhënësi). – Librezën e kontributeve suplementare, nëse keni. – Origjinalin e Librezës së punës (nëse jeni i punësuar fotokopje të librezës së punës). – Nëse jeni i punësuar, vërtetim nga punëdhënësi i fundit për datën e fillimit të punës dhe pagën që përfitoni. – Deklaratë personale për gjendjen e punësimit.

b) Për përfitimin e pensionit suplementar të pleqërisë, bashkëngjitur kërkesës duhet të keni: – Fotokopje të kartës identitetit. – Dëshmi penaliteti. – Vërtetim të pagës referuese (plotësuar nga punëdhënësi). – Vërtetim të viteve të shërbimit (plotësuar nga punëdhënësi). – Librezën e kontributeve suplementare, nëse keni.

c) Për përfitimin e pensionit suplementar për personat që aksidentohen në shërbim, bashkëlidhur kërkesës, duhet të jenë: – Fotokopje e kartës së identitetit. – Dëshmi penaliteti. – Procesverbali i mbajtur nga qendra e punës për aksidentin në shërbim. – Vërtetim i pagës referuese (plotësuar nga punëdhënësi). – Vërtetim i viteve të shërbimit (plotësuar nga punëdhënësi). – Vendim i Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë. – Libreza e kontributeve suplementare, nëse keni. – Fotokopja e librezës së punës.

d) Për përfitimin e pensionit suplementar familjar, bashkëlidhur kërkesës duhen: – Certifikatë familjare. – Certifikata e vdekjes së personit, që ka kryer funksione kushtetuese apo detyra në administratën shtetërore. – Fotokopje e letërnjoftimit elektronik e përfituesit. – Dëshmi penaliteti e të ndjerit. – Vërtetim i pagës referuese (plotësuar nga punëdhënësi). – Vërtetim i viteve të shërbimit (plotësuar nga punëdhënësi). – Libreza e kontributeve suplementare të të ndjerit, nëse keni. – Vërtetim i vazhdimit të shkollës për jetimët. – Deklaratë për punësimin apo aktivitetin ekonomik.

Llogaritja e një pensioni suplementar të pleqërisë:
PSP = PMRMN x VSH x 1%. PSP: Pensioni Suplementar i Pleqërisë. PMRMN: Paga Mesatare Referuese Mujore Neto. VSH: Vitet e Shërbimit. Masa që rezulton nga kjo formulë nuk duhet të jetë më shumë se 50 për qind e pensionit të pleqërisë.

Ushtaraku A.B. përfiton pension pleqërie sipas Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993, i ndryshuar, me datë fillimi 15 Shtator 2017 dhe masën 26,000 lekë në muaj. Ai ka 28 vite shërbimi si ushtarak dhe pagë mesatare referuese mujore neto 53,700 lekë në muaj.. Llogaritja e pensionit suplementar të pleqërisë bëhet në këtë mënyrë: PSP = 53,700 lekë x 28 vite x 1% = 15,036 lekë / muaj

Por, pensioni suplementar i pleqërisë nuk duhet të jetë më i lartë se 50% e pensionit të pleqërisë që ushtaraku A. B. gëzon, në çastin e lindjes së të drejtës së pensionit suplementar. Ushtaraku A.B përfiton pension pleqërie në datën 15 Shtator 2017, në masën 26,000 lekë/muaj. Në këtë rast, pensioni suplementar i pleqërisë është sa 50% e pensionit të pleqërisë, pra 13,000 lekë / muaj. Pra, ish ushtaraku A.B. në datën 15 Shtator 2017 do të përfitojë pension suplementar pleqërie në masën 13,000 lekë lekë/muaj.

Si llogaritet pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi
Llogaritja e një pensioni të parakohshëm për vjetërsi shërbimi:

PPVSH = PMRMN x VSH x 1.5%. PPVSH = Pensioni i Parakohshëm për Vjetërsi Shërbimi

PMRMN = Paga Mesatare Referuese Mujore Neto. VSH = Vitet e Shërbimit. Por, në çdo rast, masa e pensionit të parakohshëm nuk mund të jetë më e ulët se pensioni bazë, i cili përcaktohet nga Këshilli i Ministrave, në përputhje me ligjin nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.

Shembull:
Ushtarakut në rezervë/lirim D.N. i lind e drejta për të përfituar pensionin e parakohshëm për vjetësi shërbimi më datë 20 Maj 2017. Ai ka 22 vite në shërbim dhe paga mesatare referuese mujore neto është 44,000 lekë në muaj.

Llogaritja e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi bëhet në këtë mënyrë:

PPVSH = 44,000 lekë x 22 x 1.5% = 14,520 lekë / muaj. Por, në çdo rast, masa e pensionit të parakohshëm nuk mund të jetë më e ulët se pensioni bazë, i cili përcaktohet nga Këshilli i Ministrave, në përputhje me Ligjin nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”. Në rastin konkret masa e pensionit bazë më datë 20 Maj 2017 është 13,014 lekë në muaj, pra masa e llogaritur e PPVSH do të jetë 14,520 lekë në muaj. Pra, ish-ushtaraku D.N. në datën 20 Maj 2017 do të përfitojë pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi në masën 14,520 lekë / muaj.

loading...

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *