Lajme

Basha dhe Kryemadhi: Drejtësi gjysmake. Protestat do vazhdojnë

Krerët e opozitës kanë reaguar për vendimin e sotëm të gjykatës së Shkodrës, ku 4 nga 11 të arrestuarit për protestën në Rrugën e Kombit u mbajtën në burg. Kreu i PD-së, Lulzim Basha dhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi deklaruan se protestat për lirimin e personave të arrestuar do të vijojnë. Në reagimet e tyre pas vendimit të gjykatës, Basha dhe Kryemadhi e kanë cilësuar vendimin për lirimin e vetëm një pjesë të protestuesve si drejtësi gjysmake.

Në një reagim të ashpër, kreu i PD-së, Lulzim Basha tha se vendimi i drejtësisë ishte gjysmak. Ai tha se regjimi i Edi Ramës nuk mund të dënojë padrejtësisht popullin dhe premtojë se protestat do të vijojnë.

“Ky është thelbi i regjimit të Edi Ramës: burg për popullin që ngrihet kundër grabitjes, liri për kriminelët që mbajnë Edi Ramën me paratë e drogës dhe vota të blera. Ndaj protesta dhe qëndresa qytetare do të vazhdojë. Nga fati i kësaj beteje varet e ardhmja europiane e Shqipërisë. PD është në krah të njerëzve, është në krah të popullit”-, shkruan Basha në një reagim në Facebook.

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Shkodrës për lirimin e vetëm 7 nga 11 kukësianëve të arrestuar për protestën në Rrugën e Kombit.

Kryetarja e LSI-së, Kryemadhi shton se protesta do të vijojë deri në lirimin e çdo qytetari të arrestuar në mënyrë të padrejtë. “Ne do të jemi në krah të çdo proteste për të liruar kuksianët protestues, që sot janë simboli i qëndresës ndaj arrogancës së pushtetit. Beteja tyre me padrejtësinë është dhe beteja jonë! Me çdo kusht e me çdo mjet demokratik do të jemi në mbështetje të kuksianëve, deri në lirimin e çdo protestuesi dhe rishikimin e taksës për Rrugën e Kombit”,- shprehet kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi.

Deklarata e plotë e Lulzim Bashës:
“Vendimi i sotëm për lirimin nga arresti të 7 prej kuksianëve të grabitur nga shtëpitë e tyre me urdhër të Edi Ramës, është arritje e protestës dhe rezistencës së qytetarëve. Por kjo drejtësi gjysmake është në fakt padrejtësi, sepse 4 kuksianë mbahen në qeli, ndërkohë që trafikanti ndërkombëtar i drogës Sajmir Tahiri është në parlament.

Ky është thelbi i regjimit të Edi Ramës: burg për popullin që ngrihet kundër grabitjes, liri për kriminelët që mbajnë Edi Ramën me paratë e drogës dhe vota të blera. Ndaj protesta dhe qëndresa qytetare do të vazhdojë. Nga fati i kësaj beteje varet e ardhmja europiane e Shqipërisë. PD është në krah të njerëzve, është në krah të popullit”.

Postimi i plotë në Facebook i Kryemadhit:
“Pabesia dhe frika e Edi Ramës vazhdojnë të mbajnë në mënyrë krejtësisht antiligjore në burg protestuesit kuksianë!

Asnjë qytetar që ka protestuar për një taksë arbitrare dhe të padrejtë, nuk mund të penalizohet nga një drejtësi, që sot më shumë se kurrë tregoi qartas se është vegël e qeverisë.

Procedurat e ndalimit të protestuesve, mënyra se si u shoqërua dhe gjykimi i politizuar janë tregues i qartë i një pushteti të ri në duart e narkoqeverisë.

Asnjë raport ndërkombëtar, asnjë show në ERTV apo shfaqje “dashurie publike” për të tërhequr vëmendjen nga zullumet, nuk e shpëton dot Edi Ramën dhe qeverinë e narkotrafikut nga revolta e një populli, që sot më shume se kurrë po provon në kurriz hajdutërinë dhe padrejtësinë.

Opozita nuk do të lejojë maskaradën e kryeministrit që po tallet dhe që po luan me jetën e shqiptarëve të pafajshëm, që rëndohen çdo ditë e më shumë nga taksat e oligarkëve dhe burgosen padrejtësisht nga të komanduarit e Edi Ramës.

Ne do të jemi në krah të çdo proteste për të liruar kuksianët protestues, që sot janë simboli i qëndresës ndaj arrogancës së pushtetit. Beteja tyre me padrejtësinë është dhe beteja jonë!

Me çdo kusht e me çdo mjet demokratik do të jemi në mbështetje të kuksianëve, deri në lirimin e çdo protestuesi dhe rishikimin e taksës për Rrugën e Kombit”.

Artikuj te Ngjashem

loading...