SPORT

Klopp: Mundëm ekipin më të mirë në botë

Jurgen Klopp ishte i kënaqur me të tijtë në “Anfield”, por nuk dëshiron të ndikojë që skuadra e Pep Guardiolës të zemërohet përpara ndeshjes së javës së ardhshme, në çerekfinalen e kthimit të Ligës së Kampionëve.

Të besuarit e Guardiolës pësuan një “dajak” spektakolar të mërkurën, në Champions nga Liverpool.

Goli i 38-të i sezonit për Mohamed Salah i dha Liverpool avantazhin pas 11 minutash lojë, ndërsa Alex Oxlade-Chamberlain dyfishoi shifrat me një goditje të shkëlqyer, me rreze të gjatë, para se Sadio Mane të shënonte golin e tretë pas gjysmë ore lojë.

Sidoqoftë, Klopp nuk dëshironte të tërhiqej nga pohimi i tij para ndeshjes, se Manchester City ishte ekipi më i mirë në botë, referuar formës aktuale, kur foli në konferencë shtypi, pas fitores 3-0.

“Ne mundëm ekipin më të mirë në botë, kjo ishte një performancë e jashtëzakonshme, – tha trajneri gjerman. – Unë nuk kam qenë kurrë pjesë e ekipit më të mirë në botë, por gjithnjë e kam ditur se është e mundur t’i mundim ata. Me të gjitha gjërat, që mund të them tani, nuk dua t’i bëj edhe më të zemëruar “qytetarët”.

Nëse u përgjigjem pyetjeve tuaja ashtu siç dëshironi, Pep duhet t’i vendosë gazetat në dhomën e zhveshjes dhe t’u thotë lojtarëve se kjo është ajo që tha Klopp për ju. Ne duhet të punojmë atje, përsëri, sepse na pret “ferri”. Ka ende punë për të shkuar në raundin tjetër. Ne nuk jemi në gjysmëfinale të Champions-it. Atëherë, pse duhet të festoj?”

Klopp përmendi një përvojë nga e kaluara e tij, për të treguar se ku mund ta çojë Liverpoolin ndonjë vetëkënaqësi.

Në të njëjtën periudhë të çerekfinales së Champions-it (2013-2014), Borussia Dortmund e tij shënoi humbjen 3-0 në ndeshjen e parë, në fushën e Real Madridit, por kampionët përfundimtarë vareshin si fitues 2-0 në “Signal Iduna Park”.

“Unë jam prej shumë kohësh në këtë biznes, – shtoi Klopp. – Vite më parë kam luajtur me Dortmundin në fushën e Real Madridit. Kemi humbur 3-0 dhe të gjithë kanë thënë se ishte mbyllur kualifikimi. Kam qenë shumë i zemëruar për këtë dhe në shtëpi kemi fituar 2-0, me gjashtë, ose shtatë ndryshime në ekip.

Të gjithë ata që e panë këtë lojë e dinin se ne duhej të kishim fituar 5-0, 100 për qind. Është më mirë se 3-1, më mirë se 1-0, por askush nuk ishte në dhomat e zhveshjes duke vallëzuar dhe festuar për kalim në raundin gjysmëfinal. Kjo punë zgjat 180 minuta, apo më shumë”.

Artikuj te Ngjashem

loading...